I nderuar kryetar i Kuvendit,

I nderuar kryetar i Qeverisë,

Kryetarë të nderuar të parlamenteve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Bullgarisë, ushtrues detyre kryetar i kuvendit parlamentar të NATO-së, nënkryetar të parlamenteve të Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe i nderuar shef i delegacionit të Kroacisë në kuvendin parlamentartë NATO-s,

Ekselenca tuaja, ambasadorë të akredituar në vendin tonë,

Të nderuar liderë të partive politike,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Qytetare dhe qytetarë dhe, ajo që është më me rëndësi në këtë seancë parlamentare,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Sot para jush gjendet Propozimi i ligjit për ratifikimin e marrëveshjes Veriatlantike. Me ratifikimin e saj nga ana e Kuvendit, fillon faza e fundit e aderimit tonë si anëtar i plotë në Aleancën veriatlantike ndërsa pikërisht këtu, para rreth 27 viteve, në dhjetor të vitit 1993-të, përbërja e parë parlamentare në Maqedoninë e pavarur, sovrane dhe demokratike solli vendim strategjik për anëtarësimin e shtetit në NATO. Vendimi i tyre vizionar u bë orientim i jonë strategjik i shtetit përgjatë dekadave dhe turbulencave nëpër të cilat kaluam. Ndërroheshin përbërjet e parlamenteve, ndërroheshin qeveri, kaluam konflikt të armatosur, kaluam nëpër krizë të rëndë politike, por orientime tona strategjike për anëtarësim në NATO dhe BE mbetën prioriteti jonë më i rëndësishëm kombëtar.

Vitet e fundit, për fat të keq, kishim shumë pak çështje për të cilat arritëm konsensus të plotë shtetëror. Kur flas për këtë, nuk e  kam fjalën vetëm për konsensusin e partive politike dhe elitave politike. E kam fjalën për konsensus që i bashkon të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh nga dallimi etnik, religjioz dhe gjuhësor. Nga vendimi i parë i Kuvendit e deri më sot, shumica e madhe e qytetarëve e kanë mbështetur dhe e mbështesin integrimin tonë në Aleancën veriatlantike. Për këtë, obligimi dhe përgjegjësia e gjeneratës sonë të politikanëve për ta përmbyllur këtë proces ka domethënie të pakontestueshme historike.

Të nderuar,

Anëtarësimi në këtë aleancë nuk është thjesht hyrje në anëtarësi të organizatës ndërkombëtare. Bëhet fjalë për aleancë specifike të shteteve, e cila bazohet mbi politikë të ndërsjellë dhe mbrojtjet të solidaritetit dhe vlerave të përbashkëta. Anëtarësimi në aleancën më të fuqishme ushtarako- politike në botë është privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe.

Që nga afrimi jonë drejt Partneritetit për paqe në vitin 1995, ne u obliguam që në mënyrë aktive të kontribuojmë për mbajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar si kërcënim më i madh ndaj sigurisë në botën bashkëkohore. Përkushtimi jonë ndaj kësaj detyre dhe solidariteti jonë me aleatët e NATO-s, e kemi dëshmuar përmes pjesëmarrje në disa misione të Aleancës në rajone të ndryshme të botës në vitet e kaluar.

Tani që edhe formalisht do të bëhemi anëtarja e 30-të e NATO-s, përgjegjësia jonë rritet ndërsa reformat nuk kanë të ndalur. Si anëtare e plotë, para nesh do të jetë përgjegjësia për zbatimin e vendimeve të Aleancës ku në vendimmarrje do të kemi votë të barabartë me aleatët tjerë. Në planin e brendshëm, kjo nënkupton të vazhdojmë me përmirësimin e standardit jetësorë të ushtarëve dhe eprorëve, me trajnimet e tyre, modernizimin e pajisjeve, në përgjithësi me përforcimin e potencialit ushtarak dhe t’i detektojmë dhe të merremi me rreziqet bashkëkohore të sigurisë dhe kërcënimet. Në këtë drejtim, rritja e buxhetit për mbrojtje prej 2% nga PBV-ja jonë është obligim të cilin çdo shtet serioz duhet ta respektoj.

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar deputetë,

Anëtarësimi në NATO nuk do të bëhej pa ndryshimet rrënjësore politike që ndodhën në vitet e kaluar në vendin tonë. Politika jonë e re ndaj fqinjëve dhe angazhimi i fuqishëm për zgjidhjen e kontesteve për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore janë themeli i suksesit tonë në realizimin e synimeve strategjike. Kompromiset që i bëmë nuk ishin të thjeshta apo të lehta. Por, fakt është se marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me emrin me Greqinë fqinje marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, janë vendimet kyç që na sollën deri tek qëllimi. Respektimi dhe zbatimi i tyre i përpiktë është rruga e vetme për respektimin e të gjithave shteteve- aleate në NATO, por edhe subjekteve tjera në komunitetin më të gjerë ndërkombëtar.

Të nderuar,

Pa kurrfarë teprimi dhe pretendimi që të tingëllojë patetik, vlerësoj se vendimi i sotëm për ratifikimin e marrëveshjes veriatlantike është hap i madh në finalizimin e shtetësisë së Maqedonisë dhe vulosja e integritetit dhe sovranitetit tonë. Nderin për ta marrë këtë vendim historik e kemi ne, përfaqësuesit e qytetarëve në pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv.

Me këtë rast dua të shpreh falënderim të veçantë për të gjithë sekretarët e përgjithshëm të NATO-s, duke filluar nga Havier Solana në vitin 1999, kur u bëmë vend- kandidat, përmes lordit Robertson e deri te zoti Stoltenberg, të cilët u angazhuan për anëtarësimin tonë në Aleancë dhe të cilët ishin dhe mbetën miqtë tanë. Falënderim edhe për Zyrën e Lidhjeve për  NATO-s  në Shkup, ndihma e të cilës nga etablimi i saj 20 vjeçare e deri më sot, ishte fuqi e rëndësishme lëvizëse prapa lëvizjeve tona reformuese.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Tani mbetet që të gjithë ne, qytetarët e vendit të 30-të anëtar të Aleancës, mundin e dhënë gjatë dekadave të kaluara ta faktorizojmë, të dëshmojmë se jemi të denjë në këtë sukses dhe t’i tregojmë botës se kur besohet në të njëjtat vlera, nuk ekzistojnë dallime mes vendeve të vogla e të mëdha.

Ju faleminderit!